Instituti Ballkanik i Politikave punon për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm dhe qeverisjen e mirë përmes politikëbërjes pragmatike që punon për mirëqenien e qytetarëve.

blogu (all)

Shteti i vogël me probleme shumë

Mashtrimet zgjedhore

Problemet gjatë zgjedhjeve të përgjithshme në dhjetor kanë ndodhur kryesisht në bastionet e dy “partive të luftës“, respektivisht PDK-së dhe AAK-së, ndonëse probleme nuk kishte vetëm në ato lokacione, por ndodhën gjithandej.
Vjedhjet e votave në bastionet lokale janë të rëndësishme për shkak se Kosova është një “zonë elektorale“. Pra, nuk është me rëndësi se nga vijnë votat individuale – ose, për dikë si vijnë ato. Dhe, për partitë, është shumë më lehtë të bëhen mashtrimet në bastionet e tyre, ku gati të gjithë nga komisionerët dhe vëzhguesit janë besnikë ndaj një partie.
Zgjidhja është që Kosova të ndahet në disa zona zgjedhore, që çdo regjion të ketë anëtarët e Kuvendit të përfaqësuar në baza të numrit të popullsisë. Ky sistem do të ishte më reprezentativ si dhe shumë më demokratik. Minoritetet nuk do të pësonin, sepse nuk do të ishin të ballafaqoheshin me pragjet zgjedhore. Përkundrazi, një sistem i tillë do të inkurajonte minoritetet të dalin në votime, sidomos kur ulëseve të rezervuara t’u skadojë afati pas përfundimit të këtij parlamenti, siç thuhet në Pakon e Ahtisaarit.

Mashtrimet ndodhën edhe në regjione jashtë bastioneve, por kryesisht ishin të lokalizuara në fshatrat ku e gjithë popullata është besnike ndaj një partie. Po ashtu në gjithë Kosovën, manipulimet e votave të kandidatëve brenda partive janë bërë normale. Një zgjidhje për këtë mund të jetë parimi “një qytetar një votë” ku secili votues mund të votojë për një kandidat e jo për pesë.

Pas rivotimit në disa komuna, PDK-ja ndonëse ende partia më e madhe në vend, del nga zgjedhjet si humbës parcialë, dhe si duket nuk ia ka dalë të rrisë mbështetjen e saj shumë prej zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2007. Ndërsa fituesi më i madh në këto zgjedhje është, sigurisht, lëvizja “ Vetëvendosje ”.

Monitorimet e zgjedhjeve

ENEMO (Misioni Ndërkombëtar për Vëzhgime) i përbërë nga disa organizata joqeveritare kryesisht nga rajoni, mbikëqyrën zgjedhjet e 12 dhetorit 2010, por struktura e misionit të tyre është problematike. Para zgjedhjeve, ishin ngritur shqetësime për numrin shumë të vogël të vëzhguesve të ENEMO-s. Ata kishin vetëm vëzhgues mobilë, të cilët nuk ishin të mjaftueshëm për të mbuluar të gjitha vendet e votimit. Ky lloj i mbikëqyrjes zgjedhore nuk konsiderohet në të vërtetë vëzhgim në mënyrë reale, sepse mbikëqyrësit nuk janë prezentë përherë gjatë procesit të votimit. Megjithatë, u lejon mashtruesve të thonë që rezultatet janë legjitime ngase mbikëqyrësit ndërkombëtarë deklaruan se procesi ishte: në përgjithësi i mirë “ – duke ulur rëndësinë e keqpërdorimeve. Kjo është një çështje shumë serioze, zgjidhja është që në të ardhmen të kemi misione mbikëqyrëse ndërkombëtare me vëzhguesit statikë në çdo vendvotim.

“Demokracia në Veprim“, misioni monitorues i përbërë nga koalicioni i OJQ-ve lokale, nuk ka siguruar raportimin e shpejtë dhe të saktë të procesit. Ka pësuar nga çarjet e brendshme dhe disa nga OJQ-të anëtare ishin akuzuar për besnikëri ndaj partive të ndryshme politike. Për më tepër, vëzhguesit shpesh në fund përfundojnë të punojnë për partitë e caktuara politike, sidomos në bastionet partiake. Tani tri nga OJQ-të kanë lënë koalicionin, dhe me siguri do të ketë një koalicion të ri të OJQ-ve për monitorimin e zgjedhjeve.

Çka ishte e shquar në këtë proces, ishte heshtja e miqve të Kosovës para zgjedhjeve, duke pasur parasysh shqetësimet që ishin ngritur mbi mashtrimet e mundshme. Përfaqësuesit ndërkombëtarë dhe ambasadorët e shteteve miqësore me Kosovën, kanë ndikim të madh te liderët politikë kosovarë. Por asnjëri nuk paralajmëroi ndonjë lider partiak kosovar se miqtë e tyre nuk do të tolerojnë manipulimin e dëshirës së lirë të qytetarëve. Nëse kjo do të kishte ndodhur, Kosova ndoshta do të ishte në situatë më të mirë sesa që është tani.

Qeveria e re

Megjithatë, përfundimi i procesit zgjedhor nuk do të sjellë fundin e problemeve politike në Kosovë. Do të jetë mjaft e vështirë që të formohet një Qeveri stabile. Retorika anti-PDK tek partitë tjera shqiptare është agresive, derisa partia më e fuqishme serbe, Partia Liberale Autonome, SLS, është partner më i qëndrueshëm për PDK-në për momentin. AAK-ja është mjaft e interesuar t’i bashkohet Qeverisë, por ata janë të pasigurt se si një lëvizje e tillë to të ndikonte në të ardhmen e partisë. Koalicioni i madh në mes të PDK-së dhe LDK-së edhe pse i mundshëm nuk ka shumë gjasa të ndodhë, dhe mund të ndodhte vetëm nën presion të madh ndërkombëtar.

Më i mundshëm duket të jetë një koalicion i të gjitha partive parlamentare (dhe ndoshta me disa parti joparlamentare), ndoshta përveç lëvizjes “ Vetëvendosje “. Një “Qeveri teknike” është po ashtu e mundur, por vetëm me mbështetjen solide të shumicës partiake parlamentare, sepse zyrtarisht një gjë e tillë nuk përmendet në Kushtetutën e Kosovës dhe do të ishte kundërshtuar.

Akuzat e Martyt dhe “dialogu” me Serbinë

Në mes të gjithë kësaj pasigurie, raportuesi i Këshillit të Europës, Dick Marty, e publikoi raportin e tij për akuzat për trafikimin e organeve në Kosovë. Raporti është dëmtues si për imazhin e Kosovës - duke qenë i mbuluar gjerësisht nga media ndërkombëtare – ashtu edhe për procesin e brendshëm demokratik. Së pari, aty përmbahen disa nga paragjykimet gjithëpërfshirëse të gjeneralizuara për shqiptarët, që tingëllojnë shumë ngjashëm më pamjen e promovuar nga Serbia për një kohë të gjatë se shqiptarët nuk mund të krijojnë një shoqëri funksionale.

Brenda Kosovës, raporti ka larguar vëmendjen nga procesi zgjedhor, duke lejuar politikanët të kthehen në retorikën nacionaliste dhe ta largojnë vëmendjen nga sjelljet e partive të tyre gjatë zgjedhjeve. Duke ardhur para negociatave me Serbinë në të cilat liderët kosovarë pritet të bëjnë lëshime, raporti nuk mund të kishte dalë në një kohë më të keqe – dhe çdo lëshim tani ka më shumë të ngjarë, me kaq shumë politikanë kosovarë në gjendje defensive.

Dialogu me Serbinë është shtyrë në mënyrë të pashmangshme. Tani, nuk është në mënyrë realiste një prioritet për Kosovën. Kosova tani është në disavantazh, sepse do të jetë shumë më problematike të krijohet një ekip kompetent për dialogun me tërë këtë tension politik. Një ekip i tillë duhet të ketë mbështetjen e Kuvendit të Kosovës, sepse çdo qeveri e re që vjen nga këto zgjedhje do të vuajë nga mungesa e legjitimitetit në sytë e elektoratit.

Hapat e ardhshëm

Miqtë e Kosovës së bashku me liderët kosovarë duhet të bëjnë një inventar të gjendjes dhe së bashku të marrin hapa konkretë për të dalë nga kriza. Tash, BE-ja si dhe shtetet anëtare të saj duhet të rrisin mbështetjen e tyre për EULEX-in për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Kjo përfshin ndjekjen e atyre që janë përgjegjës për mashtrim në zgjedhje. SHBA-ja duhet të sigurojë qytetarët e Kosovës se janë të angazhuara për demokracinë e Kosovës, duke insistuar në ndjekjen e dyshuarve për vjedhjen e votave të qytetarëve.

Është shumë e rëndësishme për të gjithë të kuptojnë se sistemi i tanishëm zgjedhor duhet të ndryshohet. Dhe, se Kosova nuk duhet të jetë nën presion në krijimin e një Qeverie e cila nuk do të ketë legjitimitet të mjaftueshëm dhe një Qeveri që do të binte shumë shpejt. Kosova ka nevojë për miqtë e saj më shumë se kurdoherë për ta ndihmuar atë në këto kohë të stuhishme.
Facebook Favicon LinkedIn Favicon TwitThis Favicon




komentet:




Komenti juaj:


Keni edhekaraktere për t'a shkruajtur komentin tuaj.

Më trego për postime tjera?