Instituti Ballkanik i Politikave punon për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm dhe qeverisjen e mirë përmes politikëbërjes pragmatike që punon për mirëqenien e qytetarëve.

blogu (all)

Lufta e biskotave (ose çfarë ndodhi në veri)

Para një shekulli Serbia ishte përfshirë në një luftë që njihet si Luftë doganore. Ajo luftë njihet më shumë si Lufta e derrave. Kjo për shkak se Austro-Hungaria i kishte ndaluar eksportimin e derrave në atë vend. Në fillim të shekullit njëzetë, ekonomia e Serbisë dominohej nga Austro-Hungaria. Serbia, meqenëse politikisht ishte kundërshtare e Ausro-Hungarisë, synonte që të ikë nga varësia ndaj saj. Prandaj kishte shkaktuar dështimin e negociatave të tregtisë përmes disa hapave që i kishte ndërmarrë për të përmirësuar marrëdhëniet ekonomike me vende tjera. Në një përpjekje për të ushtruar trysni ndaj Serbisë, Austro-Hungaria (më 1906) i kishte mbyllur kufijtë për eksportuesit serbë.

Një shekull më pas, Serbia kishte mbyllur kufijtë për mallrat kosovare si pjesë e trysnisë politike dhe ekonomike kundër Kosovës. Dhe tri vite më pas, Kosova mbylli kufijtë për mallrat serbe si hap reciprociteti. Kjo epizodë mund të quhet Lufta e biskotave, duke pas parasysh se biskotat janë produkti serb më i njohur dhe i popullarizuar në Kosovë. Duke qenë se eksportet nga Serbia në Kosovë, shkojnë deri në një miliardë euro (duke përfshirë tregtinë e zezë, sipas disa vlerësimeve), ndalimi i këtij eksporti është i rëndësishëm. Shumë kompani dhe shumë vende pune në Serbi varen nga tregu kosovar. Por çfarë ndodhi në të vertetë? Në çfarë situate u fut Kosova dhe si mund të dilet nga aty? Të shohim më poshtë.

Veriu

Veriu i Kosovës është një territor ku nuk ka ligj; një lloj perëndimi i egër modern, ku krimi i organizuar shfrytëzon nacionalizmin për pasurim. Aty kriminelët serbë dhe shqiptarë bashkëpunojnë shumë mirë. Ky territor është një vrimë e zezë për ekonominë e Kosovës, sepse përderisa aty mbisundon ekonomia e zezë, në Kosovë nuk mund të funksionojë as ndalimi i eksporteve serbe, por as edhe sistemi i arkave fiskale. Aty autoritetet kosovare nuk kanë pushtet. EULEX-i ka kompetenca ekzekutive në veri, mirëpo ka dështuar të instalojë sundimin e ligjit aty. Territori është mjaft i madh, që krahasimisht i bie të jetë sa territori në katërkëndëshin Prishtinë-Shtërpcë-Hani i Elezit-Gjilan. Dhe duke qenë se kufiri është territor malor i mbuluar me pyje, është shumë vështirë të kontrollohet.

Aksioni

Më 25 korrik 2011, pjesëtarë të njësive speciale të Policisë së Kosovës (ROSU) ishin nisur për të marrë kontrollin në pikat kufitare 1 dhe 31 (Jarinje dhe Bërnjak). Pasi që kishin arritur këtë, kishin filluar problemet, sepse serbët lokalë ishin mobilizuar duke vendosur barrikada. Ndërkohë, një pjesëtarë i ROSU-s ishte plagosur për vdekje nga një snajperist serb. Qeveria e Kosovës kishte gjetur përkrahje nga të gjithë sektorët e shoqërisë Kosovare për këtë aksion. Më vonë, serbët kishin djegur pikën kufitare në Jarinje dhe KFOR-i i shpalli të dy pikat kufitare si zona ushtarake. Pas vendosjes njëditore të policëve kufitarë dhe doganierëve të Kosovës në të dy pikat ata ishin detyruar të largohen për shkak të sigurisë. Stafi i EULEX-it, kishte ikur nga pozitat e veta drejt territorit të Serbisë para turmës agresive në Jarinje.
Por pse ndodhi ky aksion kështu? A ishte i planifikuar më herët? Apo ishte vendim i ngutur? T’i shohim disa opcione.

Plan i mëhershëm?

Për të kuptuar se a ishte ky aksion i planifikuar më herët apo jo na hyjnë në punë disa fakte. Së pari të shohim planifikimet buxhetore relevante. Buxheti për policinë e Kosovës në vitin 2010 ishte 63.5 milionë euro, kurse në vitin 2011 është mbi 74.7 euro. Pra kemi një rritje prej rreth 11 milionë euro. Mirëpo, brenda këtij buxheti, në kategorinë mallra dhe shërbime kemi një zvogëlim nga viti në vit, ku më 2010 kishim 11.4 milionë euro, kurse më 2011 kemi 10.6 milionë euro. Gjithashtu në kategorinë shpenzime kapitale kemi rënie nga 14.5 milionë më 2010 në 12.1 milionë më 2011. Domethënë, rritja e buxhetit total të policisë është paraparë të shkojë në rroga. Pra në kategoritë ku futen pajisjet e policisë dhe shpenzime që kanë të bëjnë me logjistikën kemi zvogëlim të buxhetit. Dhe nëse e analizojmë buxhetin, askund nuk vërehet ndonjë kërkesë për pasisje të rëndësishme si helikopterë.

Në bazë të të dhënave buxhetore, mund të konkludojmë se qeveria e Kosovës nuk ka planifikuar më herët për ndonjë operacion të tillë si ai i 25 korrikut.
Gjithashtu, numri i stafit të Policisë së Kosovës është zvogëluar nga 9,077 persona në 2010 në 8,547 persona në 2011. Sipas kësaj, nuk ka pasur ndonjë planifikim për nevoja më të mëdha në staf që do të duhej për patrullim të veriut.

Këtu vie edhe një fakt shumë i rëndësishëm. Komandanti i Policisë u shkarkua ditën e operacionit! Po të kishte patur një plan afatgjatë për një operacion madhor policor, në atë plan do të ishte përfshirë komandanit i policisë, logjikisht. Shkarkimi i shefit të policisë, në ditën e operacionit dhe deklaratat e tij se nuk ka qenë në dijeni për operacionin tregon se nuk ka pasur një plan për kontrollimin e pikave kufitare në veri nga autoritetet kosovare.

Vendim euforik i rastit?

Këtë opcion duhet ta konsiderojmë duke ditur historinë e vendimeve të ngjashme në politikën kosovare.
Në bazë të deklaratave të mëvonshme e kuptojmë se ka pas konsultime mes qeverisë dhe EULEX-it për një operacion të tillë në javët paraprake. Nga kjo del se vendimi për dërgimin e policisë në veri nuk ka qenë vendim euforie i ndikuar nga gjendja momentale në ditën apo mbrëmien para operacionit.

Plan afatshkurtër?

Opcionin e tretë që duhet ta shqyrtojmë është ai i një plani afatshkurtër të planifikuar keq.
Siç e thamë edhe më herët, u kuptua se kishte pasur konsultime mes qeverisë dhe EULEX-it për një operacion të tillë. EULEX-i doli të kisht kundërshtuar këtë.
Gjithashtu, më herët e pamë, se nuk ka pasur një plan të përpiluar nga Policia për vendosjen e ligjshmërisë në pikat 1 dhe 31. Sepse, po të kishte pasur një plan të tillë do të ishte e paparamendueshme shkarkimi i shefit të policisë.

Po ashtu, e dimë se, pas shkarkimit të komandantit të Policisë, nuk u tha se kush brenda policisë është përgjegjës për mbarëvajtjen e operacionit.
Në të njëjtën kohë, përgjegjësinë direkte për operacionin e morën Ministri i punëve të brendshme dhe Kryeministri.
Nëse nuk ka patur një plan afatgjatë për intevenim në veri dhe një plan të mëhershëm policor, atëhere del se ky ka qenë një operacion i planifikuar në ditët/javët para ekzekutimit.
Rezultati: Tash për tash doganierët kosovarë nuk janë në veri. KFOR-i kishte bllokuar futjen e automjeteve të mëdha nga Serbia për disa ditë, mirëpo tashmë nuk e ndalon atë. Në negociatat mes përfaqësuesve të Beogradit dhe KFOR-it, autoritetet e Kosovës nuk janë konsultuar fare. Një pjesëtar i Policisë së Kosovës është i vdekur. Popullsia në veri është mobilizuar dhe radikalët janë armatosur. Trendi i popullariteti i qeverisë së Kosovës dhe kryeministrit pësoi ndryshim drastik.

Kriza dhe mundësia: Si të veprohet?

Me gjithë mungesën e planifikimit të mirë për vendosjen e kontrollit në pikat 1 dhe 31, kjo situatë krize momentale paraqet një mundësi. Qeveria e Kosovës duhet të kërkojë që çarmatosen grupet radikale në veri dhe të arrestohen udhëheqësit e krimit të organizuar.
Gjithashtu nga KFOR-i duhet të kërkohet që të pregatis infrastrukturën për patrullim më të lehtë të terrenit në veri, përmes shtruarjes së rrugëve dytësore dhe infrastrukturës ujore në liqenin e Gazivodës.
Është shumë me rëndësi të kuptohet se tregu i eksporteve serbe në Kosovë është faktikisht leva e vetme që Kosova e ka në raport me Serbinë. Prandaj situata e tanishme është një mundësi që në vazhdim të negociatave të arrihen sa më shumë koncesione para se kompanitë serbe të mund të eksportojnë prap në Kosovë. Deri më tash negociatat kanë arritur shumë pak apo fare për Kosovën, kjo është mundësia që të nxirren rezultate konkrete në favor të Kosovës në vazhdimin e negociatave. Lufta e derrave mes Austro-Hungarisë dhe Serbisë nuk kishte pasur sukses, dhe ishte bërë një nga shkaqet e Luftës së parë botërore. Situata e embargos reciproke mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund të zgjasë shumë. Prandaj, mundësia që Kosova të jetë faktorë në negociata mund të kalojë shpejtë.

Ky shkrim është botuar më 6 Gusht 2011, në Koha Ditore.

Facebook Favicon LinkedIn Favicon TwitThis Favicon

Related Posts:
Madhësia relative e Kosovës veriore
Shteti i vogël me probleme shumë



komentet:




Komenti juaj:


Keni edhekaraktere për t'a shkruajtur komentin tuaj.

Më trego për postime tjera?