Instituti Ballkanik i Politikave punon për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm dhe qeverisjen e mirë përmes politikëbërjes pragmatike që punon për mirëqenien e qytetarëve.

publikimet (të gjitha)

Transparenca dhe llogaridhënia
Zhvillimi i qëndrueshëm
Integrimet rajonale dhe europiane
Qeverisja
Zhvillimi ekonomik dhe reforma e tregut

Autostrada e re e Kosovës dhe Perspektivat për Zhvillim Ekonomik

Kjo analizë ka për qëllim që të diskutojë beneficionet që do të sjellë ky projekt për Kosovën, se sa është i nevojshëm duke marrë parasysh situatën ekonomike dhe politike në vend. Përveç tjerash Qeveria e Kosovës nuk ka justifikuar si duhet kostot e benefitet për këtë projekt, dhe ende nuk ka paraqitur ndonjë plan konkret për implementimin e këtij projekti. Gjithashtu plani për këtë projekt ende nuk është bërë plotësisht transparent. Së dyti kjo analizë ka për qëllim që të diskutojë debatin teorik për autostradat, se sa ndikojnë në zhvillimin ekonomik të një vendi, duke marrë parasysh dinamikat lokale dhe kombëtare dhe rajonale.
Kontrata prej 700 milion Euro e Qeverisë së Kosovës me konzorciumin Amerikano-Turk Bechtel-Enka për të ndërtuar autostradën Morinë-Prizren-Prishtinë-Merdare publikisht është promovuar si një hap para drejt rritjes ekonomike së Kosovës dhe një unifikim gjeopolitik me Shqipërinë. Ish- presidenti Fatmir Sejdiu e ka quajtur autostradën e Kosovës të gjatë 117 km si “shpresë për rritje më të shpejtë ekonomike: përderisa kryeministri Hashim Thaçi e quajti si mishërim i “lidhjes fizike dhe shpirtërore” me Shqipërinë. Politikë-bërësit pohojnë që projekti ka për të sjellë benefite të rëndësishme duke i dhënë Kosovës një kyçje në tregjet botërore përmes Portit të Durrësit, duke lidhur Kosovën me rrjetin regjional të transportit, duke krijuar vende të reja pune dhe lehtësuar racionalizimin e bujqësisë dhe avantazhe tjera krahasuese.
Megjithatë, dëshmitë në përkrahje të këtyre pretendimeve janë të diskutueshme dhe procesi i planifikimit të projektit ka qenë problematik nga fillimi. Fillimisht konkluzionet e Qeverisë së Kosovës për kostot dhe benefitet nuk janë bërë të ditura plotësisht, dhe as që duken të justifikueshme statistikisht ose teoretikisht. Ekspertët ekonomik vendorë, institucionet financiare në Kosovë, shoqëria civile dhe disa zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë vënë në dyshim vlerën dhe domosdoshmërinë e këtij projekti. Së dyti, Ministri i Transportit dhe Postë Telekomunikacionit, Fatmir Limaj dhe drejtori për prokurim në ministri, Nexhat Krasniqi, aktualisht janë nën hetime për korrupsion në lidhje me mashtrime në praktikën e prokurimit publik. Nëpër Prishtinë, posterët që përshkruanin zyrtarët publik si derra rrethuar nga Euro në autostradën e propozuar reflektojnë natyrën simbolike që ka marrë ky projekt. Së fundmi, traseja e autostradës nuk është finalizuar, duke lënë çështjen e shpenzimit për shpronësimin e tokave private të pa definuar dhe për këtë arsye kostot aktuale të projektit të përgjithshëm ka të ngjarë të tejkalojnë vlerësimin e kontratës origjinale.
Situata aktuale tregon një ambient të varfër dhe kompleks në të cilin ndodhin strategjitë për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Varësia nga donatorët ndërkombëtarë, sistemi i dobët ligjor krijojnë mundësi për lajthitje dhe menaxhim të dobët në planifikimin e projekteve nacionale. Si pasojë, qasja e investimeve publike është karakterizuar me një mungesë ose mospërfillje të analizave teknike dhe si pasojë janë zgjedhur projekte të kushtueshme dhe politikisht të motivuara, projekte transparenca e të cilave është e komprometuar lehtë. Hiper-nacionalizmi dhe aspiratat gjeopolitike janë duke dërguar tek ajo që mund të shihet si shtrembërim i interesave ekonomike nacionale. Tani Kosova është zotuar që të ndërtojë një autostradë me paratë që nuk i ka dhe që nuk ka garancion për përmirësim ekonomik drastik, me çmimin e mosmirëmbajtjes së infrastrukturës që tashmë e ka.
Gjendja ekonomike delikate që ka Kosova kërkon vendim-marrje precize për shpenzimet kapitale publike. Me një Bruto Prodhim Vendorë (BPV, ang. GDP) për frymë prej 1760 €, 35-40% papunësi dhe 40-50% të popullsisë që jetojnë në varfëri, Kosova është vendi më i varfër në Europë. Pra, sfida për Qeverinë e Kosovës ka qenë prioritizimi i projekteve publike të cilat sjellin rritje ekonomike dhe që përmirësojnë kualitetin e jetës brenda një kornize të limituar buxhetore. Megjithëse Qeveria e Kosovës ka prioritizuar investimet në infrastrukturë për të stimuluar rritjen ekonomike, vendimi për të ndërtuar autostradën, referuar edhe si Autostrada Patriotike, është bërë një çështje përçarëse sepse publiku nuk duket i bindur për përfitimet e deklaruara nga ajo autostradë. Duke pasur parasysh këtë situatë, kjo analizë e shkurtër i ka tre qëllime. Së pari, ajo paraqet pretendimet e Qeverisë së Kosovës se si ajo pret që autostrada të sjell përfitime ekonomike për Kosovën. Së dyti, kjo analizë diskuton debatin teorik rreth autostradave dhe mundësive për rritje ekonomike, duke marrë parasysh dinamikat lokale, kombëtare dhe rajonale që ndikojnë në zhvillimin ekonomik dhe investimet private. Së fundi, kjo analizë ofron disa rekomandime për hartuesit e politikave, të cilat janë të përmbledhura më poshtë:
Për Qeverinë e Kosovës:
• Të bëjë transparente menjëherë kontratën për ndërtimin e autostradës.
• Të financojë një studim të pavarur të analizës krahasuese benefit-kosto për dy drejtimet e mundshme të autostradës
• Të paraqes planin e përdorimit të tokës dhe planin e zhvillimit që tregojnë qartë se si investimet publike në ndërtimin e autostradës do të çojnë në përmirësimin dhe përfitimin ekonomik dhe social në Kosovë.
• Të garantohet mbikëqyrje, menaxhim dhe vlerësim strikt dhe i vazhdueshëm i projektit, për të parandaluar keqpërdorimin e fondeve dhe për të mbajtur të informuar publikun me anë të raportimit të rregullt publik.
• Të parandalojë zhvillimet dhe ndërtimet e parregullta të bizneseve dhe shtëpive në zonat pranë autostradës në mënyrë që të sigurojë që nivelet e shërbimit të ofruara nga ajo nuk janë të dobësuara dhe për të mbrojtur sigurinë e qytetarëve.
• Të paraqes menjëherë planet për të adresuar vonesat ekzistuese të mirëmbajtjes për rrugët rurale dhe sekondare dhe planet e ardhshme për të ruajtur integritetin dhe vlerën e rrjetit rrugor të Kosovës.

Shkarko PDF:
Autostrada e re e Kosovës dhe Perspektivat për Zhvillim Ekonomik