Instituti Ballkanik i Politikave punon për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm dhe qeverisjen e mirë përmes politikëbërjes pragmatike që punon për mirëqenien e qytetarëve.

blogu (all)

Dhuna dhe përsëritja e saj

Dhuna dhe përsëritja e saj

(Publikuar më 27.10.2011 në Koha Ditore)

Seb Bytyçi

Kohëve të fundit publiku është tronditur nga disa raste të dhunës.
Vrasja e drejtorit të arsimit në Prishtinë, rasti i dhunës familjare
në Gjilan, si dhe vrasja e gjyqtarit në Vlorë kanë bërë bujë. Mirëpo,
nuk ka patur një diskutim publik për të kuptuar shkaqet e kësaj,
ndoshta për shkak se jemi të mësuar me dhunë.

Definimi i dhunës

Definicioni më i thjeshtë i dhunës, nga aspekti psikologjik, është si
formë ekstreme e agresionit. Një dallim i thjeshtë për llojet e
dhunës është bërë nga Vitorio Bufaki i cili përmend Konceptin
Minimalist të Dhunës, që nënkupton forcën fizike të përdorur me qëllim
për të shkaktuar lëndim, dhe Konceptin Gjithëpërfshirës të Dhunës, që
kërkon një kuptim më të gjërë.

Dhuna strukturore

Galtung bërë ndarjen mes dhunës direkte, ku një apo disa persona
gjenden si shkaktarë të dhunës, dhe dhunës strukturore ku nuk mund të
përcaktohet saktësisht një person që shkakton dhunën. Ai thotë se
dhuna strukturore është më vdekjeprurëse dhe shkatërruese se dhuna
direkte. Kjo bëhet përmes strukturave dhe institucioneve diskriminuese
që rezultojnë në pushtet të pabarabartë. Kështu institucionet
shtetërore dhe sociale përbrenda tyre kanë rregulla që shkaktojnë
dhunë tek qytetarët. Për shembull, punësimi në institucione publike
është i pamundur pa lidhje partiake. Dhe, “partizanizmi” është një
formë e dhunës strukturore ashtu si mund të jetë etno-nacionalizmi,
racizmi apo seksizmi. Prandaj, dhuna strukturore mund të rezultojë në
raste të dhunës direkte si në komunën e Prishtinës. Dështimet e
institucioneve (policisë, shërbimeve sociale, prokurorisë, gjykatave)
për të ndaluar dhunën familjare ndaj një gruaje të re spjegohen me
dhunën strukturore gjinore ndaj femrave.

Dhuna politike

Sa i përket dhunës politike, Weber thotë se shteti e ka monopolin e
saj. Mirëpo, kur kemi dështim të shtetit atëherë krimi i organizuar
(mafia) apo edhe individë të caktuar ushtrojnë dhunë. Kur shteti
dështon në shpërndarjen e dhunës/sigurisë atë e bën krimi i
organizuar. Gjithashtu, për shkak të dështimi të shtetit dhe sundimit
të ligjit kemi parë rritje në numrin e gjakmarrjeve.

Si një nga arsyet kryesore për dhunën është frustrimi. Një koncept i
rëndësishëm për të kuptuar spazmet e dhunës që kanë ndodhur në të
kaluarën si trazirat e vitit 1997 në Shqipëri dhe viteve 1981 dhe 2004
në Kosovë.

Frustrimi i pritjeve të shqiptarëve për përmirësim të shpejtë të
standartit të jetesës pas rënies së komunizmit kishte quar në dhunën e
vitit 1997.

Shoqëria kosovare ka pasur pritje të mëdha për rritjen e standardit të
jetesës, si pas çlirimit ashtu edhe pas pavarësisë. Në të dyja rastet
pritjet janë zhgënjyer. Dhuna e vitit 2004 duhet të shihet përmes
këtij prizmi. Pra, ka një cikël të dhunës, dhe ai lidhet me çastet
kritike politike. Kur ka arritje politike e cila nuk pasohet me
arritje socioekonomike, atëherë shpërthen dhuna në formë të trazirave.
Kjo ka ndodhur në vitin 1981, dhe më 2004. Kjo ndodh për shkak se
momentet kritike politike që fuqizojnë politikisht vendin, krijojnë
pritje tek qytetarët për jetë më të mirë. Mirëpo, në fakt këto momente
kritike politike si, autonomia e vitit 1974, dhe çlirimi i vitit 1999,
e fuqizojnë elitën politike, e jo domosdoshmërishtë qytetarët. Dhe
elita politike i ka zhgënjyer pritjet e qytetarëve, duke quar drejt
dhunës, në mungesë të valvulave për daljen e tensionit social.

Pas pavarësisë, një pikë kritike në politikën kosovare, pritjet e
larta që ishin për përmirësim të jetesës u zhgënjyen. Tashmë janë bërë
tri vite nga pavarësimi i Kosovës. Dhe kur kihet parasysh se mënyra e
vetme e shprehjes së frustrimit, zgjedhjet, u përdhos me vjedhje,
potenciali për shpërthim dhune nuk duhet të injorohet. Hana Arent
thotë se dhuna është mjet i të pafuqishmëve.

Menaxhimi i pritjeve

Duke ditur rëndësinë e menaxhimit të pritjeve, qeveria paguan Doktorin
e dredhisë, britanikun Alastair Campbell, për t'u ndihmuar me
“komunikimin”. Ja dy fakte që besoj ndihmojnë shumë në këtë drejtim.
Nga viti 1974, kur u fitua autonomia deri në trazirat e vitit 1981
ishin 7 vite. Nga viti 1999 kur u fitua liria deri në trazirat e vitit
2004 ishin 5 vite. Sa për përkujtim, nga 2008 kur u shpall pavarësia e
Kosovës, deri më tani janë bërë 3.5 vite. Besoj se britaniku nuk do ta
harrojë mësimin nga kjo verë e vendit të tij, që tregon se, sado që
mundohesh të menaxhosh pritjet, nëse njerëzit jetojnë në mjerim ata do
ta përdorin dhunën.

(Autori është drejtor i Institutit Ballkanik të Politikave (IPOL).
Opinionet janë personale.)
Facebook Favicon LinkedIn Favicon TwitThis Favicon

Related Posts:
Gënjeshtra e përparimit
Tranzicioni i një vendi pas konfliktit
Shteti i vogël me probleme shumë



komentet:




Komenti juaj:


Keni edhekaraktere për t'a shkruajtur komentin tuaj.

Më trego për postime tjera?