blogu (all)
Tranzicioni i një vendi pas konfliktit
Tranzicioni politik
Pas rënies së komunizmit një numër i madh i shteteve filluan tranzicionin politik që supozohej të ishte drejt demokracisë. Vala e tretë e demokracisë kishte marrë hov. Sidoqoftë, disa shtete kanë bërë më shumë progres se sa të tjerat në transformimin drejt demokracisë. Kjo e shtyu autorin Thomas Carothers ta sfidojë paradigmën e tranzicionit.
Carothers i ngrit disa çështje shumë valide kur e spjegon gjendjen e demokracisë në shtetet e valës së tretë. Ai thekson se vetëm rreth një e pesta e shteteve që filluan procesin e tranzicionit drejt demokratizimit janë bërë shtete demokratike faktikisht. Ai vëren me saktësi se një numër i madh i atyre shteteve kanë ngelur në atë që ai e quan zona e hirtë. Vendet e zonës së hirtë zakonisht kanë karakteristika të ngjashme mes vete dhe mund të grupohen në ato që kanë pluralizëm joefikas dhe ato që manifestojnë politikë të pushtetit dominant. Ai thotë sepluralizmi joefikas është prevalent sidomos në shtetet si Shqipëria, Bosnia, Ukraina, Moldavia dhe ato latinoamerikane.
Carothers vështron se edhe pse shtetet e zonës së hirtë duken se kanë kushtetuta dhe institucione demokratike, dhe mbajnë zgjedhje rregullisht, në fakt ato nuk janë demokraci. Në grupin e parë të shteteve, elitat e ndërrojnë pushtetin, por pjesëmarrja e qytetarëve është e kufizuar. Në grupin e dytë, zakonisht është një parti e cila e dominon jetën politike. Kështu që ai thotë se supozimet e paradigmës së tranzicionit – ku kryesorja është se këto shtete janë duke lëvizur drejtë demokracisë – janë rrënuar. Karakterizimi i tij për shtetet e zonës së hirtë është përkrahur edhe nga autorë të tjerë. Ivan Krastev e përdorë konceptin e kopjeve të demokracisë dhe vjen në përfundime të ngjashme me Carothers. Gjithashtu, Levistky dhe Way e përdorin termin autoritarizmi konkurrent për t’i përshkuar shtetet në zonën e hirtë.
Duhet të pajtohemi me Carothers kur e kemi parasysh se e dimë se këto shtete prej nga vijnë, mirëpo nuk e dijmë se drejt çkafit kanë filluar tranzicionin ato. Gjithashtu, është vështirë të dijmë se kur e ka përfunduar një shtet periudhën e tranzicionit. Prezenca e një diskursi që flet për demokraci nuk i mjaftueshëm për ët besuar se nje vend po lëvizë drejt demokracisë. Një shtet me një shoqëri civile të gjallë dhe me një nivel të lartë të “gatishmërisë për demokratizim” nuk është një pikën e njejtë të rrugës me një shtet pa këto. Këto lloj matjeje janë të rëndësishme sepse shpesh demokratizimi i një vendi varet nga faktorë të jashtëm. Nganjëherë Perëndimi zgjedh se cilin shtet do ta përkrahë drejt demokratizimit dhe shpesh pajtohet me stabilitet në dëm të demokracisë. Në këto raste puna e shoqërise civile është e kotë (psh Azerbaijan). Kurse disa shtete janë më afër perëndimit dhe kanë shtytje më të forta për demokratizim (psh kandidatët për anëtarësim në BE).
Kosova vendi i shumë tranzicioneve
Fundi i luftës në Kosovë shënoi fillimin e jo vetëm një tranzicioni. Kosova po kalontë nëpër tranzicion nga komunizmi, okupimi, apartheidi dhe lufta. Gjithashtu, Kosova është në transformim nga një vend i nënzhvilluar dhe tradicional drejt zhvillimit dhe modernitetit. Mirëpo, drejt Çkafit vërtetët është nisur Kosova? Kjo është një pyetje që ende nuk ka përgjigje dhe në Kosovë është komplikuar edhe nga çështja e statusit politik.
Pluralizmi erdhi në Kosovë me ndryshimet në Europën komuniste në vitin 1989, sidoqoftë ishte një pluralizëm i zhvilluar nën okupim dhe apartheid. Pas luftës, misioni ndërkombëtar i UNMIK-ut ishte ballafaquar me nevojën e kthimit të refugjatëve dhe rindërtimit të Kosovës. Zgjedhjet e para u mbajtën në v. 2000 për nivelin vendor. Pastaj më 2001 u mbajtën zgjedhjet për Asamblenë qendrore. UNMIK-u pregatiti një Kornizë kushtetuese që vendosi bazat për funksionimin e institucioneve demokratike.
Kosova është ballafaquar më sundim të dobët të ligjit dhe një prani të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kjo ka qenë si rezultat i joefikasitetit të UNMIK-ut, mungesës së kapaciteteve të qeverisë dhe mungesës së vullnetit të të dy palëve për tu marrë me këto probleme.
Sistemi partiak në Kosovë mund të përshkruhet si sistem fluid (ku kemi shpesh krijimin e partive të reja dhe ndërrimin e partive nga liderë prominentë), siç përshkruhen nga autori Zielisnki dhe të tjerë. Sistemi i përfaqësimit proporcional ishte adoptuar me idenë se është më i përshtatshmi për një shoqëri postkonfliktuale. Sidoqoftë, ka rezultuar me disa deficite të demokracisë. Listat e partive ishin të mbyllura, që domethënë se votuesit nuk kanë mundur të zgjedhin kandidatët por vetëm partitë. Kjo, si dhe mundësia për ndërrimin e partive dhe krijimin e partive të reja, kishte eliminuar shtytjet e politikanëve për të treguar llogaridhënie. Në vendet e pasluftës, politika partiake gjithashtu është e ndarë dhe shumë e ashpër. Ku zakonisht ka dy parti që e kundërshtojnë ashpër njëra tjetrën. Dalja nga lufta në Kosovë ka rezultuar edhe me një sistem të fortë patronazhi që kryesohet nga elitat që e kanë udhëhequr luftën, e që është shumë i dëmshëm për demokratizim.
Kjo e spjegon pjesërisht rënien e numrit të votuesve në zgjedhje me kalimin e kohës. Zhgënjimi i kosovarëve është evident edhe nga anketat publike. Kënaqësia me institucionet qendrore ka rënë vazhdimisht nga viti 2005, edhe pse fluktuonte nga viti 2002 deri 2005. Dhe pesimizmi politik ka qenë i lartë gjatë gjithë kohës. Kosova është ranguar ulët vazhdimisht edhe në rangimet ndërkombëtare të demokracisë si psh nga Freedom House.
Kur kihet parasysh se vendet në tranzicion kanë sfida të mëdha në rrugën drejt demokracisë shihet se Kosova është ende larg cakut. Në shtetet e pasluftës si Kosova mund të paraqiten edhe sfida tjera, si psh vrasjet politike qe e komplikojnë rrugën drejt demokracisë. Në këto raste, si duket, ka nevojë edhe për një pajtim kombëtar, përveç pajtimit mes palëve që ishin në luftë. Faza e pasluftës e bën edhe më të vështirë tranzicionin drejt demokracisë. Kurse vetë kjo fazë nuk dihet kur përfundon. Pa drejtësi kalimtare, pa pajtim kombëtar, zbardhjen e fatit të të zhdukurve, vështirë se kalohet faza e pasluftës. Dhe kjo e bën shumë të vështirë demokratizimin e plotë.
Ky shkrim bazohet në një pjesë të hulumtimit për disertacion të doktoraturës me temën Shërbimet publike në shoqëritë në transformim, pranë Universitetit të York-ut.
Related Posts:
Shteti i vogël me probleme shumë
Lufta e biskotave (ose çfarë ndodhi në veri)
komentet:
Komenti juaj:

