blogu (all)
Për zgjedhje më të buta
Seb Bytyçi
Sipas ligjit për zgjedhjet lokale ka dy palë zgjedhje në nivel komunash. Zgjedhjet për Kuvendet Komunale dhe zgjedhjet për Kryetarë të Komunave. Për të dy këto zgjedhje secila komunë përbën një zonë të vetme zgjedhore. Për zgjedhjet për Kuvende Komunale këshilltarët zgjedhen drejtpërdrejtë nga votuesit përmes sistemit të përfaqësimit proporcional. Zgjedhjet për kryetarë të komunave bëhen me sistemin mazhoritar të balotazhit. Sistemet e tilla kritikohen gjerësisht për mundësinë e tyre për të krijuar konflikte politike.
Sistemet preferenciale si zgjidhje
Disa kritere që duhet t’i plotësojë një sistem zgjedhor janë: Llogaridhënia, Përfaqësimi, Drejtësia, Të drejtat e barabarta për votues, Thjeshtësia, Reflektimi i preferencave të qytetarëve dhe Parandalimi i konfliktit. Zgjedhjet janë faktorë që i shtyjnë njerëzit të mobilizohen në baza etnike, sociale, fisnore, familjare apo gjeografike. Kjo mund të ndikojë në krijimin apo forcimin e ndasive shoqërore në vend. Në shoqëritë e ndara preferohet të ketë një sistem zgjedhor që promovon bashkëpunimin e jo ashpërsimin politik apo dhunën. Këto sisteme quhen sentripetaliste. Dy prej tyre janë kryesore: vota alternative (VA) dhe vota e vetme e transverueshme (VVT).
Sistemi VA është sistem mazhoritar. Në sistemin e votës alternative votuesi mund të votojë për më shumë se një kandidat duke i ranguar kandidatët e parapëlqyer. Ky pra është sistem preferencial që i shtyn garuesit të kërkojnë edhe vota të dyta e të treta jo domosdoshmërisht vetëm vota të para. Kjo çon drejt një politike më të moderuar dhe jo përjashtuese. Sistemi VVT është sistem proporcional. Në këtë sistem votuesit i rangojnë kandidatët e tyre të preferuar. Numërimi bëhet përmes përcaktimit të një kuote dhe të gjithë kandidatët qe e kalojnë atë kuotë automatikisht fitojnë ulëse. Kandidatët me numrin më të vogël të votave të preferencës së parë eliminohen. Votat tepricë ridistribuohen tek kandidatët tjerë.
Këto dy sisteme njihen si sisteme preferenciale. Ato promovojnë “grumbullimin” e votave nga kandidatët nga votues të që i takojnë anëve të ndryshme të spektrit politik dhe etnive të ndryshme. Kjo çon drejt një politike jokonfrontuese mes kandidatëve. Nëse ka më shumë zona zgjedhore mund të bëhet edhe “grumbullimi” i zonave. Këtu kandidatëve u kërkohet që të fitojnë një përqindje të caktuar të votave në më shumë se një zonë. Kjo garanton përfaqësim më të gjerë gjeografik.
Pas përfundimit të zgjedhjeve lokale duhet t'i ngrisim disa çështje për diskutim. Çështjet kryesore për reformimin e sistemit zgjedhor janë ajo se a duhet të instalojmë sistemet preferenciale zgjedhore për të parandaluar tensionimin politik dhe ndasitë? Dhe a duhet të krijohen më shumë zona zgjedhore si në nivelin qendror ashtu edhe atë lokal?
komentet:
Komenti juaj:

