Instituti Ballkanik i Politikave punon për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm dhe qeverisjen e mirë përmes politikëbërjes pragmatike që punon për mirëqenien e qytetarëve.

blogu (all)

Neo-Otomanizmi, Shqiptarët dhe Demokracia

nga Seb Bytyçi publikuar më 22.08.2011 në Koha Ditore.

Neo-Otomanizmi, Shqiptarët dhe Demokracia

Populli shqiptar, Kosova, dhe Shqipëria janë miq me Turqinë. Dhe kjo miqësi është e rëndësishmë. Mirëpo, çmimi i kësaj miqësie nuk duhet të jetë ndryshimi i fakteve historike.

Këtë vit Mbretëresha e Britanisë vizitoi Irlandën, dhe kjo vizitë u pa si një vulosje e miqësisë së dy shteteve. Meqenëse historia e këtyre dy shteteve është shumë e rëndë, rëndësia e kësaj vizite ishte e madhe. Në të njëjtën kohë, ky rast shërbeu si një mundësi për të përkujtuar historinë e Irlandës si pjesë e Perandorisë Britanike. Një gjest i rëndësishëm simbolik ishte fjalimi i Mbretëreshës në gjuhën galike (gjuhën origjinale/amtare të irlandezëve). Ajo çka nuk ndodhi, sidoqoftë, është kërkesa ndaj Irlandës për t’i ndryshuar librat e historisë. Publiku britanik nuk e diskuton vuajtjen e popullit irlandez nën Perandorinë britanike. Me gjithë faktin se ende ka probleme në Irlandën veriore, diskutimi për të kaluarën është gjakftohtë. Dhe, Britania e Madhe nuk i kërkon Irlandës ndërrimin e tregimit të historisë në shkëmbim për miqësi. Një koment nga një irlandez i brengosur për paratë e taksapaguesve më bëri përshtypje: Gjithë këto para duhet të shpenzohen për të dëshmuar diçka që veçmë e dimë, ne jemi dy vende mike.

Neo-Otomanizmi?

Para disa ditësh në Kosovë ishte për vizitë Ministri turk i Arsimit, ku gjatë kësaj vizite ai deklaroi se Kosova duhet të largojë nga librat e historisë pjesët që janë fyese për historinë turke. Nëse ka fjalë fyese apo raciste kundër çfarëdo populli natyrisht se ato duhet të eliminohen. Mirëpo, “fyerje për historinë turke” mund të nënkuptojë shumëçka. Për kuptuar më mirë çfarë do të thotë kjo, na duhet ta kuptojmë kontekstin aktual të Turqisë.

Në Turqi, partia islamiste AKP (Partia e Drejtësisë dhe Zhvillimit), sapo i fitoi zgjedhjet e treta me radhë në krye me kryeministrin Erdoan. Kjo parti është vazhdimësi e disa partive të mëhershme islamiste të cilat ishin shpallur të paligjshme dhe ishin mbyllur në të kaluarën. Pra Turqia me AKP-në në pushtet ka shënuar një ndryshim në mentalitetin e saj, dhe në politikën e jashtme të saj. Edhe pse ky ndryshim është quajtur neo-Otomanizëm, ky koncept kundërshtohet nga politikanët turq.

Thellësia strategjike

Arkitekti i politikës së jashtme turke Ahmet Davutollu, e përdorë konceptin e “thellësisë strategjike” për të dizajnuar fuqizimin global të Turqisë. Ai thotë se Turqia është një nga disa “Fuqitë qendrore” në botë dhe duhet të luaj rol global. Pikat kryesore të këtij koncepti që janë relevante në raport me shqiptarët janë këto në vijim. Roli global i Turqisë parasheh luajtjen e një roli me ndikim në zgjidhjen e konflikteve rajonele, si psh në Ballkan. Për të realizuar këtë rol Turqia duhet të ketë zero probleme me fqinjët. Gjithashtu, Turqia duhet të përdorë pushtetin e butë në vendet që kanë qenë pjesë e Perandorisë Osmane.

Brenda këtij konteksti duhet të kuptohen vizitat e përfaqësuesëve turq në të gjitha vendet e Ballkanit. Rëndësi të veçantë në Ballkan, Turqia i jep Serbisë. Në një vizitë të Ministrit të Mbrojtjes së Serbisë, Dragan Shutanovac, në Ankara, gjatë shënimit të marrëveshjes për bashkëpunim në mbrojtje, Ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Vexhdi Gënyl, deklaroi se “Turqia dëshiron t’i përmirësojë marrëdhëniet me Serbinë më së shumti prej të gjitha shteteve ballkanike”. Me Serbinë, Turqia nënshkroi edhe një Marrëveshje të Tregtisë së lirë. Gjithashtu, rëndësi të madhe turqia i kushton marrëdhënevie me Greqinë dhe Rusinë me të cilat ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes.

Në Kosovë, si dhe tek shqiptarët në shtete tjera, vizitat e përfaqësuesëve turq kanë karakteristikë iftaret. Dhe kjo nuk është e rastësishme. Këto aktivitete janë pjesë e strategjisë së përdorimit të “pushtetit të butë”. Edhe pse ky aspekt i politikës së jashtme nuk është primar, ai shihet si mjet për të rritur ndikimin turk sidomos në ish vendet e Perandorisë Osmane.

Shqiptarët vis-a-vis politikës së re turke

Narrativi historik i shqiptarëve i vendosë ata në kundërshtim me Perandorinë Osmane. Mirëpo, shqiptarët kanë disa role në atë Perandori, sepse, ashtu si popujt tjerë të saj kanë qenë edhe pjese e elitës sunduese, përveç se kanë qenë të sunduar.

Sidoqoftë, me gjithë faktin se shqiptarët luftuan kundër Perandorisë osmane për pavarësi, një pjesë e popullsisë identifikohej me sulltanin edhe pas vitit 1912. Nacionalizmi shqiptar gjatë shekullit XX kishte arritur të largojë këtë lidhje emocionale. Mirëpo, e ndihmuar nga një lloj islamizmi, tashmë ka filluar të ngritet një lloj ndjenje “neo-Otomane” e veçantë tek shqiptarët. Ky sentiment e përzien fenë me ideologjinë islamiste të llojit të AKP-së. Simptomë kryesore është kërkesa për revizionizëm historik, dhe paraqitja në dritë të bardhë e çdo gjëje që ka të bëjë me Perandorinë Osmane në trojet shqiptare. Aspektet më të spikatura të këtij fenomeni janë akuzat se narrativi historik shqiptar është sllavist. Pra ky sentiment përputhet shkëlqyeshëm me konceptin e “pushtetit të butë” të politikës së jashtme turke. Dhe ky fenomen është i lidhur direkt me aspekte të realitetit të ri në turqi si psh bursat dhe ndihma financiare për studentë në Universitetin Prishtinës apo universitete tjera dhe të rinjë kosovarë të papunë që ndoshta kanë edhe lidhje familjare me turq etnikë. Në anën tjerë, ky fenomen ka hasur në kundërshtim nga pjesa më e madhe e popullsisë që e sheh këtë si sulm ndaj identitetit shqiptar.

Një faktor i rëndësishëm, është edhe fakti që disa të rinjë të zhgënjyer nga realiteti i tyre, nuk kanë me çka të ndjehen krenar. Dhe e kompensojnë atë me ndjenjën e krenarisë që ua ofron atyre përparimi i shtetit turk.

Demokracia dhe elitat politike

Sentimentit “neo-Otoman” i kanë kontribuar edhe liderët tanë politikë. Këtë e spjegon gjendja e brishtë e demokracisë si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri. Një teori mbi legjitimitetin thotë se liderët/elitat politike që nuk kanë legjitimitet të brendshëm synojnë ta fitojnë atë nga jashtë. Domethënë, në shtetet me demokraci të dobët, elitat politike nuk kanë legjitimitet nga populli për të sunduar. Kështu që atyre u duhet të marrin legjitimitetin nga marrëdhëniet me shtetet tjera ose organizatat ndërkombëtare. Për këtë arsye, liderët e këtyre vendeve i kushtojnë rëndësi takimeve me sa më shumë liderë të huaj.

Kjo është me rëndësi për kontekstin panshqiptar, sepse, liderët tanë kanë qenë ditë e më shumë të izoluar nga komuniteti ndërkombëtar për shkak të menderosjes së qeverisjes dhe praktikave demokratike. Mirëpo, në kontrast me këtë situatë, Erdoan dhe liderët turq kanë qenë të vetmit që nuk kanë hezituar të takohen me ta. Kjo ka pasoja rrjedhimisht, sepse në një anë i bënë liderët tanë të ndikueshëm ndaj çfarëdo lloji të kërkesave që kanë politikanët turq; dhe në anën tjetër i shtyn militantët partiakë, që gjatë arsyetimit liderëve të tyre, ta pranojnë neo-Otomanizmin si forcë spjeguese.

Miqësia moderne

Shqiptarët, Republika e Shqipërisë, Republika e Kosovës e kanë Republikën e Turqisë vend mik. Dhe nuk ka dyshim se kjo miqësi është e rëndësishme. Mirëpo, kjo miqësi nuk duhet të vie me koston e ndryshimit të fakteve historike e humbjes së identitetit nacional, etnik e kulturor.

Perandoria osmane ka qenë multietnike. Në qeverisjen e saj kanë marrë pjesë turqit, shqiptarët, grekët, serbët, armenët, arabët e popujt e tjerë të perandorisë. Disa sulltanë kanë qenë bijë të nënave serbe, ose pas martesave të baballarëve të tyre me princesha serbe ose përmes haremeve.

Për shqiptarët, për të kuptuar rolin e neo-Otomanizmit dhe islamizmit të ri turk duhet shkuar në vitet e fundit të perandorisë osmane në periudhën e Sulltan Abdylhamitit II. Ky sulltan fokusohej te islami për të ruajtur Perandorinë osmane. Islamizmi i asaj kohe propagonte një identitet mbi-etnik tek subjektet e Sulltanit, të bazuar kryesisht në fenë islame. Këtu identiteti turk sublimohej nën identitetin islamit me qëllim të sigurimit të lojalitetit të popujve tjerë muslimanë. Ishte një përpjekje e ngjashme me atë të serbëve që thonin se “Gjithçka është serbe është jugosllave”, në përpjekje për të asimiluar gjithçka jugosllave në gjithçka serbe. Një koncept i ngjashëm ekzistonte në Bashkimin Sovjetik ku rusët thonin “Gjithçka është ruse është sovjetike”, me synimin e shëndrrimit të gjithçkaje sovjetike në ruse. Kjo ka qenë ideologji që është aplikuar fort nga Sulltan Abdylhamiti II, autokrati i fundit otoman. Dhe në këtë kontekst, zell të veçantë Sulltani kishte për përhapjen e kësaj ideologjie tek shqiptarët të cilët i shihte si shumë të rëndësishëm për ruajtjen e Perandorisë Osmane në Ballkan. Kjo ishte një arsye kyçe pse shqiptarët nuk fitonin të drejtat e edukimit në gjuhën amtare, kur Serbët e popujt tjerë i kishin fituar qysh moti. Kjo ideologji kishte minuar shumë krijimin e shtetit shqiptar, dhe rol të veçantë këtu kishte luajtur Esat Pashë Toptani që përdori këtë ideologji për mbijetesën e vet politike.

Vetë Republika turke që nga krijimi deri në vitet 1980-ta ka synuar të ikë nga trashëgimia e Perandorisë Osmane. Tash Islamistët e rinjë në Ankara, synojnë revidimin e historisë. Dhe prandaj vijnë kërkesat për eliminimin e paragrafëve që fyejnë popullin turk. Pyetja është, a është fjala për terme ofenduese që duhet të largohen? Apo për eliminimin e pjesëve që nuk ju pelqejnë politikanëve ose popullit turk? Ka shumë gjëra në historinë tonë që nuk na pëlqejnë as neve. Janë të hidhura. Disa nga to janë shkaktuar si nga Perandoria Osmane (si mohimi i të drejtave njerëzore, ekspeditat ndëshkuese të Turgut Pashës), ashtu edhe nga Republika Turke (si marrëveshjet me Jugosllavinë për shpërnguljen e shqiptarëve). Kjo nuk mund të mos iu pëlqejë as turqve. Por janë gjëra që kanë ndodhur.

Rishikimi i historisë është produktiv nëse bëhet për hir të rigorozitetit akademik. Mirëpo nëse bëhet për qëllime politike ai do të krijojë konflikt të ri duke i komplikuar marrëdhëniet shqiptaro-turke.

Facebook Favicon LinkedIn Favicon TwitThis Favicon

Related Posts:
Tranzicioni i një vendi pas konfliktit
Shteti i vogël me probleme shumë
Europianët e izoluar



komentet:




Komenti juaj:


Keni edhekaraktere për t'a shkruajtur komentin tuaj.

Më trego për postime tjera?